Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique në konferencën për shtyp para El Clasicos së dytë të sezonit, siguroi se futbollistët e tij janë gati fizikisht dhe psikologjikisht për ta kaluar me sukses përballjen me rivalët e përjetshëm.
Barcelona do ta pres të shtunën në mbrëmje në Camp Nou, Real Madridin.
“Pas kthimit të futbollistëve nga grumbullimet me kombëtaret respektive kam parë se kanë një dëshirë të çmendur për të fituar në El Clasico. Në triumfojmë, do t’i jepnim goditjen përfundimtare Realit. Ne vijmë në këtë ndeshje në momentin tonë më të mirë, por emri i kundërshtarit na detyron të jemi shumë të kujdesshëm, duke dhënë gjithsecili 100% të mundësive”.
“Shpresoj të shoh një Camp Nou tepër të zjarrtë dhe që do të na ndihmojë në momentet me delikate. Dëshiroj që mbështetësit tanë të jenë në nivelin maksimal.”
“Nuk besoj se në një përballje të tillë distanca në pikë mund të kushtëzojë lojën tonë. Ne jemi kryesuesit dhe do të luajmë si të tillë për të hedhur një hap të madh drejt titullit. Nëse fitojmë, rivali ynë i vetëm do të mbetet Atletico.”
I pyetur për homazhet ndaj Johan Cruyff, Enrique theksoi se nderi më i madh që do t’i bënin ish-futbollistit dhe trajnerit të Barcelonën do të ishte fitorja në El Clasico nëpërmjet një loje të bukur dhe spektakolare.