Shqipëria U-19 mbylli ditën e djeshme grumbullimin tre ditor me një ndeshje miqësore ndaj Dinamos U-21, ku kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu barazuan me rezultatin 0-0.
Një grumbullim mjaft i vlefshëm ky për ekipin e Cungut, që më 26 dhe 28 mars do të luajnë dy sfida miqësore në vendin tonë ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës. Ky grumbullim tre ditor ishte një test mjaft i mirë për 23 futbollistët e grumbulluar nga stafi i Kombëtares U-19, pasi patën mundësinë të tregonin aftësitë dhe formën aktuale, ndërsa edhe trajneri Cungu në një prononcim për fshf.org ditën e djeshme u shpreh i kënaqur nga paraqitja e tyre.
Ndërkaq, në një prononcim për fshf.org, dy nga futbollistët e Kombëtares, të grumbulluar këto tre ditë, Mark Deda dhe Gjergji Kote treguan emocionet e tyre për këtë grumbullim tre ditor.
Deda, i cili luan si sulmues, aktivizohet në Gjermani në skuadrën e SV Ëehen, u shpreh i lumtur që pati mundësinë të tregonte veten në këtë grumbullim, teksa shpreson në një tjetër ftesë nga trajneri i Kombëtares. “Jam Mark Deda, luaj në Gjermani te skuadra e SV Ëehen. U ndjeva shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur që m’u dha ky shans dhe të vij te skuadra Kombëtare U-19. Këto tre ditë jemi shfaqur shumë mirë, kemi bërë stërvitje. Në ndeshjen ndaj Dinamos që përfundoi 0-0, kisha edhe mundësinë të shënoja, por gjithsesi kemi luajtur shumë mirë dhe shpresoj që do të vij sërish tek U-19 dhe në ndeshjet e UEFA-s të bëjmë ndeshje të mira” – u shpreh Deda.
Sakaq, një tjetër emër që vjen rishtaz në Kombëtaren U-19, por që ka ardhur nga ekipet zinxhir të moshave, U-15 dhe U-17 është Gjergji Kote, mesfushori i skuadrës së Internacionalit. Kote jep vlerësimet e tij për këtë grumbullim tre ditor, teksa shpreson të ketë rënë në sy te stafi kuqezi, pasi synimet e tij për të ardhmen janë që të jetë pjesë e ekipeve zinxhir dhe sigurisht, Kombëtares A. sakaq, nuk mungon as vlerësimi për trajnerin e Kombëtares dhe stafin e U-19.
Si ishte ky grumbullim? – Jam ndjerë shumë mirë, atmosfera ishte shumë pozitive. Ishte një grumbullim 3 ditor me lojtarë nga Shqipëria, dhe me pjesën më të madhe të tyre njiheshim, pasi kemi qenë edhe në grumbullimet e mëparshme dhe nga kampionati i huaj dhe u mbyll me një ndeshje ndaj Dinamos U-21. Shpresoj të kem dhënë një paraqitje sa më të mirë për trajnerët dhe pse jo të jem pjesë e grumbullimeve të ardhshme. Trajnerët na kanë ndihmuar shumë në eliminimin e mangësive që kishim në lojën tonë dhe na japin mbështetje. Ky grumbullim ishte mjaft i veçantë dhe një vlerësim shumë i madh që m’u bë nga Kombëtarja shqiptare. Kam qenë prapë pjesë e Kombëtares edhe me moshat më të vogla, U-15 dhe U-17 dhe ky ishte grumbullimi i parë që pata me U-19. Shpresoj të jap maksimumin dhe të jem pjesë e grumbullimeve të ardhshme.
Synimet për të ardhmen? – Të jem pjesë e ekipeve zinxhir të Kombëtares, deri tek ekipi A.
https://www.youtube.com/watch?v=Ug_vBaYk7CU&ab_channel=FederataShqiptareeFutbollit