Gjatë muajit të kaluar në qendrën e Shkupit mund të vërehen njerëz të rinj të cilët në mënyrë të dyshimtë lëvizin rrugëve me telefona në dorë në përpjekje siç deklarojnë të gjuajnë “pokemonë”, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Epidemi, çmenduri, skizofreni”, kështu sociologët e kanë komentuar varësinë e të rinjve të cilët janë tërhequr në lojërat kompjuterike në rrjet.
E tillë është edhe atraksioni më i ri i telefonave të mençur, loja “Pokemon Go” pas të cilës është çmendur e tërë bota.
“Varësia nga rrjetet sociale është e barabartë me varësinë nga narkotikët” thonë sociologët duke theksuar se lojërat virtuale i bëjnë të rinjtë më agresiv, sepse ata shpesh hyjnë në rolin e personazheve të lojërave.
Aplikacioni mobil “Pokemon Go” shfrytëzuesve u mundëson ta hulumtojnë mjedisin dhe në lokacione reale ti kapin krijesat virtuale nga loja. Çmenduria shkon deri aty saqë ndodh që të varurit nga kjo lojë të trokasin në dyert e shtëpive dhe banesave dhe nga pronarët të kërkojnë leje të hynë brenda për ta kapur krijesën e cila u shfaqet në telefonin e tyre të mençur.
Edhe pse në dukje të parë është vetëm argëtim, kjo lojë paraqet rrezik për njerëzit. Mediat në ShBA kanë lajmëruar për shumë raste fatale ku të rinjtë në kërkim të kapin krijesat virtuale kanë humbur jetën në fatkeqësi./Telegrafi/