Ky artikull përmban ‘spoilers’
Fansat po e presin me padurim sezonin e ri të serialit Squid Game, që lansohet zyrtarisht në Netflix më 26 dhjetor.
Tanimë, platforma e njohur ka publikuar një trailer të ri, duke shpalosur detaje të reja, të kësaj “gare të çmendur”.
Personazhi Seong Gi-hun, i cili në sezonin e parë i fitoi të gjithë lojërat duke fituar një shumë të madhe parash, do të bëjë kërkesë përsëri për t’iu bashkuar garës, por kësaj here me një mision; për t’u dhënë fund atyre njëherë e përgjithmonë.
Traileri nis pikërisht me Gi-hun, i cili komunikon me front-manin në limuzinë dhe ky i fundit e pyet se çka po kërkon nga ai.
Gi-hun, i kërkon që ta inkuadrojë sërish në garë.
Kërkesa i aprovohet, dhe ky personazh dëshiron që të ndalojë garën sekrete të organizatorëve të pasur.
Në një moment të trailerit, menaxheri i lojës (front-mani), dëgjohet duke thënë që “loja nuk do të mbarojë, derisa bota të ndryshojë”.
Gjithashtu, u bë e ditur se sezoni i dytë do të karakterizohet me lojëra të tjera, ndryshe nga sezoni i parë.
Seriali Squid Game, doli për herë të parë në vitin 2021 dhe ka qenë një sensacion i vërtetë. /Telegrafi/