Site icon Telegrafi

Loja e rrezikshme e TikTok edhe në shkollat e Kamenicës, Prokuroria e Policia aktivizohen për hetime ndaj sfidave të vetëlëndimit

Prokuroria Themelore e Gjilanit nis hetime për sfidat e rrezikshme të vetëlëndimit në shkollat e Kamenicës.

Prokuroria Themelore në Gjilan është angazhuar me urgjencë pas raportimeve të rasteve të një loje të rrezikshme që ka përfshirë nxënësit në disa shkolla të Kosovës.

Kjo lojë, e cila ka nxitur shqetësime te autoritetet dhe prindërit, konsiston në sfida të vetëlëndimit të frymëzuara nga video në platformën sociale TikTok.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan për këtë rast është njoftuar nga Policia e Kosovës, për të cilin prokurori kujdestar ka autorizuar policinë që fillimisht rasti të hapet me shënim zyrtar për hetime. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale”, ka deklaruar për Telegrafin Prokuroria Themelore në Gjilan.

Autoritetet kanë theksuar se janë të shqetësuara për rrezikun që paraqet kjo lojë për shëndetin fizik dhe psikologjik të nxënësve.

Incidentet në shkollën “Abdullah Krashnica-Presheva”

Incidenti i fundit u raportua në shkollën fillore të mesme të ulët “Abdullah Krashnica-Presheva” në fshatin Koretin të komunës së Kamenicës.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Afrim Dervishi, ka konfirmuar për Telegrafin se nxënësit e klasave të gjashta, tetë dhe nënta kanë marrë pjesë në këtë sfidë të rrezikshme.

Sipas tij, fëmijët kanë testuar se kush mund të qëndrojë më gjatë pa frymë, një akt që u bë edhe më i rrezikshëm për shkak të ndërhyrjes fizike mes tyre.

“Ngjashëm me rastet që ndodhën më parë në Gjakovë, edhe në Kamenicë, në shkollën ‘Abdullah Krashnica-Presheva’ disa nxënës kanë provuar një formë tjetër të vetëlëndimit, duke qëndruar pa frymë. Kjo ndodhi në oborrin e shkollës, përpara fillimit të orëve të mësimit,” deklaroi Dervishi, duke shtuar se shtatë nxënës morën pjesë në lojë, por fatmirësisht nuk pati pasoja të rënda.

Drejtoria e shkollës reagoi menjëherë, duke thirrur prindërit e nxënësve të përfshirë dhe duke konfirmuar se e gjithë situata ka ndodhur brenda territorit të shkollës, jashtë mbikëqyrjes së mësimdhënësve.

Ndërhyrja e shpejtë e autoriteteve dhe shkollës mundësoi që situata të mos përkeqësohej, ndërsa nxënësit e kanë pranuar se e morën idenë nga videot që kishin parë në TikTok.

Autoritetet shtojnë masat parandaluese

Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pas raportimeve, ndërsa zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka deklaruar se njësia e hetimeve është e angazhuar për të hetuar më tej rastin.

“Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të përpilohet një shënim zyrtar lidhur me rastin, dhe deri më tani nuk janë raportuar të lënduar,” tha Hashani.

Ky rast në Kamenicë vjen pas raportimeve të ngjashme në komunën e Gjakovës, ku u zbuluan rreth 20 raste të vetëlëndimit të nxënësve, të nxitura nga sfidat në TikTok.

Po ashtu, raste të ngjashme janë raportuar më parë në Fushë Kosovë dhe Lipjan.

Kjo valë e sfidave të rrezikshme ka ngritur shqetësime të thella për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në shkolla.

Autoritetet po intensifikojnë përpjekjet për të sensibilizuar shkollat, prindërit dhe nxënësit rreth rrezikut që paraqesin sfidat e ngjashme në rrjetet sociale.

Drejtoria e Arsimit në Kamenicë ka bërë thirrje që të rritet ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi mes prindërve dhe mësimdhënësve, për të monitoruar më nga afër aktivitetet e nxënësve brenda dhe jashtë shkollës, veçanërisht në rrjetet sociale.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës janë zotuar të ndjekin me përparësi çdo raportim të mëtejshëm për incidente të ngjashme dhe të ndërmarrin masa të rrepta për të mbrojtur nxënësit nga lojërat e rrezikshme që qarkullojnë në rrjetet sociale si TikTok./Telegrafi/

Exit mobile version