Telegrafi

Loci jep detaje të reja: Rasti i ri me COVID-19 në Pejë i komplikuar, personi ka pasur punë në terren

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci, për RTV Dukagjinin ka dhënë detaje të reja për rastin e ri me COVID-19 të paraqitur në këtë komunë.

Loci thotë se personi në fjalë është dërguar për testim para dy ditësh por vetëm sot është konfirmuar me coronavirus.

Ai ka thënë se personi në fjalë është i moshës së mesme dhe gjendja shëndetësore është relativisht e mirë.

“Por duhet theksuar se ka simptoma”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës ka thënë se rasti i ditës së sotme është pak më i komplikuar pasi i njëjti ka ushtruar aktivitet privat që lidhet me lëvizjen.

“Pacienti ka kryer punë në terren dhe situata bëhet më e komplikuar për shkak se është vështirë ta konstatojmë burimin e infeksionit. Po ashtu edhe kontaktet që ka pasur me shumë persona e komplikojnë më tej rastin. Disa persona tashmë janë lajmëruar si raste kontakti”.

Lexo po ashtu Loci konfirmon rastin me COVID-19 në Pejë

Loci thotë se në bazë të dhënave të para i prekuri i ri me coronavirus në Pejë ka pasur aktivitet në Pejë dhe jashtë saj./Telegrafi/