Telegrafi

Locatelli përfundon testet mjekësore te Juventusi, tani pritet zyrtarizimi

Manuel Locatelli ka përfunduar testet mjekësore në Juventus përpara zyrtarizimit të transferimit të tij nga Sassuolo, ku vjen si huazim dyvjeçar me detyrim blerje për 35 milionë euro.

Mesfushori 23-vjeçar mbërriti në Torino mbrëmë, duke qëndruar në kompleksin e klubit ‘J-Hotel’, para testeve mjekësore këtë mëngjes.

Ai doli nga qendra mjekësore dhe përshëndeti fansat që e prisnin jashtë, duke nënshkruar autografe dhe duke bërë foto me ta, teksa shumë prej tyre këndonin emrin e tij.

Pas negociatave disa javore, marrëveshja më në fund u arrit dje për një huazim dyvjeçare me detyrimin blerje për 35 milionë euro, përfshirë edhe bonuset.

Sassuolo nuk do të marrë para për dy sezonet e para, por ata do të mbajnë një përqindje të kartonit në shitjen e ardhshme, diku midis 5 deri në 10 për qind. /Telegrafi/