Paraqitja e mirë që po bën në kampionatin rumun me skuadrën e Astras, ka bërë që për sulmuesin e Kombëtares, Azdren Llullaku të ketë interesim nga Turqia.
Është një nga klubet që militon në ligën e dytë turke, ai që interesohet për shërbimet e sulmuesit tonë.
Mediat turke raportojnë se Altay ka shfaqur interesim serioz për Llullakun dhe jo vetëm.
Duke qenë se skuadra bardhezi nuk gjendet në pozita të mira dhe është disa pikë larg vendeve të para, madje duke rrezikuar edhe që të shkojë në fundin e tabelës, drejtuesit kanë menduar që të gjejnë ‘heronjtë’ që mund të shpëtojnë skuadrën.
Së bashku me Llullakun, pritet që në drejtim të Altait të shkojnë edhe dy futbollistë të tjerë dhe bëhet fjalë për mesfushorin Anton Putsila dhe Ugur Arslan Kurun.
Ditët në vijim, pritet që të ketë zhvillime të reja në lidhje me të ardhmen e sulmuesit kuqezi, që në Rumani po kalon një moment mjaft të mirë.