“Në mars të këtij viti për 12,28 përqind janë ulur të ardhurat në Buxhet në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2019, ndërsa në raport me planin ulja është 24 për qind, me ç’rast rënie më të madhe prej 16,85 për qind ka tek TVSH-ja, rënia tek tatimi i fitimit është 10,78 për qind, përderisa rënie më të vogël prej vetëm 1,11 për qind ka tek tatimi i të ardhurave personale”.
Këtë e theksoi sot në konferencë për shtyp drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), Sanja Llukarevska. Ajo shtoi se të dhënat prej 1 deri më 14 prill tregojnë rënie të TVSH-së prej 79 për qind me ç’rast ka kthim të rritur prej 51,7 për qind, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Është vërejtur rënie e tatimit të të ardhurave personale prej gjashtë për qind dhe ka rënie të fitimit prej 9,97 për qind apo gjithsej krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rënie të të ardhurave prej 38,15 për qind”, tha Llukarevska.
Ajo shtoi se për dallim nga rënia e të ardhurave, ka rritje tek kontributet.
“Në pjesën e kontributeve për marsin 2020 kemi rritje prej 13,48 për qind në krahasim me marsin 2019 që do të thotë se kemi tejkalim t[ë planit për 0,67 për qind. Tek kontributet për sigurim pensional dhe invalidor ka rritje prej 10,19 për qind, ndërsa tek kontributet për sigurim shëndetësor rritja është prej 18,82 për qind, përderisa tek kontributet për punësime rritja paraqet 8,13 për qind”, tha Llukarevska.
Ajo theksoi se afati për parashtrim të paraqitjeve TVSH nga ana e obliguesve tatimorë është 25 prilli dhe shtoi se ai mund të vazhdohet me kërkesë të Odës ë kontabilistëve./Telegrafi/