Telegrafi

Lluka: Ulja e shpenzimeve në Telekom, do t’i prek edhe pagat (Video)

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një intervistë për Telegrafin me Lulzim Ahmetin, ka thënë se gjendja në Telekomin e Kosovës është e rendë. Sipas tij, për të shpëtuar këtë ndërmarrje nga falimentimi duhen ulje të shpenzimeve.

Lluka tha nëse nuk ndërmerren masa për ulje të shpenzimeve në Telekom nuk përjashtohet mundësia e falimentimit të tij.

Lexo po ashtu Lluka: Ndërtimi i 'Kosovës së Re' fillon në pjesën e dytë të vitit 2019 (Video)

“Telekomi është në prag të falimentimit, ka vështirësi jashtëzakonisht të mëdha, nëse disa kompani do ta dërgonin Telekomin tek përmbaruesi, atëherë Telekomi do të falimenton. Aktualisht Telekomi ka mbi 60 milionë euro borxhe, ndërsa në xhirollogari nuk ka më shumë se 300 mijë euro, kjo është situata. Hapat e parë kanë filluar të ndërmerren, siç është zvogëlimi i kostove operative që nuk janë të nevojshme dhe si rezultat kjo do t’i kursej miliona euro. Aktualisht do të merren të gjithë masat e mundshme që të lihen pagat në fund, mirëpo kur do të jemi në ristrukturim kjo do t’i përfshijë të gjithë, përfshirë edhe pagat”, tha ministri Lluka.

Konkurrenca në treg nuk lejon Qeverinë e Kosovës që të garantojë për Telekomin për të hyre në borxhe.

“Telekomi duhet të gjej forma të financimit jashtë ndihmës shtetërore dhe me aktivitetin e tyre operativ Telekomi ka qasje në kredi në bankat komerciale, por nëse bëhet një ristrukturim i shpejtë, ka mundësi që të kthehen të gjitha ato borxhe pa pasur nevojë për kredi”, tha ministri Valdrin Lluka.

Ai ka treguar se janë duke e krijuar një grup avokatësh të cilët do t’i analizojnë secilën kontratë të Telekomit.

“Aktualisht janë 13 apo 15 kontrata dhe dëmi i tyre është nga 600 mijë euro deri në 10 milionë euro, ndërsa dëmi potencial i të gjithave është deri në 30 milionë euro. Për momentin Telekomi është duke mbijetuar sepse nuk po paguan asnjë borxh, por nëse detyrohet t’i paguaj, atëherë Telekomi e ka të pamundur ekzistimin”, ka bërë të ditur Lluka në një intervistë për Telegrafin.

Sipas tij, falimentimi është gjeja e fundit që duhet t’i ndodh Telekomit, pasi dëmi social nga humbja e vendeve të punës do të ishte i madh.

“Por nëse nuk merret asnjë masë, atëherë do të vjen momenti deri te falimentimi”, ka thënë ministri Valdrin Lluka. /Telegrafi/