Site icon Telegrafi

Lluka: Paga mesatare në Trepçë është 770 euro, s’kemi mundësi për më shumë rritje (Video)

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se nuk ka mundësi buxhetore për t’u ngritur pagat e punëtorëve të Trepçës për 20%.

Lluka, në “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini ka thënë se shteti e subvencionon Trepçën me rreth 4 milionë euro në vit.

“Nëse nuk do të bënte shteti këtë subvencionim, Trepça nuk do të mund të përballonte shpenzimet që ka. Pra, nëse ne do të ngisnim pagat në Trepçë, do të duhej të bënim nga buxheti i shtetit, që i bie se taksapaguesit do të paguanin këtë ngritje të pagave, kur dihet se paga mesatare në Trepçë sillet rreth 800 euro”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se paga më e lartë në Trepçë është mbi 2 mijë euro, ndërsa menaxhmenti i lartë paguhen rreth 1 mijë e pesëqind euro.

“Paga më e lartë në Trepçë është mbi 2 mijë euro. Menaxhmenti i lartë i kanë pagat mbi 1, 500 euro. Drejtorët e flotacioneve 1,200 – 1, 700 euro varësisht prej kohës që punojnë.

Lluka thotë se kërkesa për rritje page është bërë kryesisht për minatorët, që ai i mirëkupton edhe për shkak se kanë kushte pak më të vështira.

“Minatorët nuk i kanë kushtet e punës shumë të mira pasi punojnë në thellësi deri në 800 metër nën tokë. Mirëpo, nëse e shikojmë mesataren e tregut ku paga në minierë është 800 euro, ndërsa në Stantërg 770 euro, janë të mjaftueshme për momentin”, deklaroi ndër të tjera Valdrin Lluka./Telegrafi/

Exit mobile version