“Shkatërruesit” britanikë të tipit 45 konsiderohen si anijet luftarake më moderne jo vetëm të Mbretërisë, por edhe të botës. Me kosto prej 1 miliard paundësh dhe teknologjinë më të fundit në bordin e tyre, ato janë makina perfekte luftarake.
Deri këtu gjithçka perfekte, nëse nuk do të kishin defektin më tronditës dhe më skandaloz që është dëgjuar ndonjëherë në flotat e çdo vendi të botës. Këta “destrojerë” nuk funksionojnë po të jetë shumë vapë.
Pikërisht kështu, nëse temperaturat e ujit janë të larta, 6 “destrojerët” modernë fiken duke lënë ekuipazhin e tyre në mëshirë të fatit.
Defekti u zbulua gjatë shërbimit të këtyre anijeve në Gjirin Persik, ku temperatura e ujit mund të arrijë në 32 gradë celsius, përcjell TCH.
Deputetët britanikë, të cilët e dëgjuan këtë çudi gjatë një seance dëgjimore të Komisionit të Mbrojtjes, thanë se ishin të tronditur nga papërgjegjshmëria e ndërtuesit të anijeve dhe sigurisht edhe e marinës që duhej t’i kishte testuar më së miri dhe jo të zbulonte në shërbim problemin e tyre të turpshëm.
Por kompania “Rolls-Royce”, e cila ka prodhuar motorët dhe turbinat e “destrojerëve”, u justifikua duke thënë se nuk i ishte kërkuar të ndërtonin pajisje për kushte kaq ekstreme.
Një shmangie përgjegjësie që deputetët britanikë e kanë cilësuar në rastin më të mirë fëmijërore, pasi ushtria s’mund të kufizohet në misionin e saj nga temperaturat.
Në ujërat e ftohta të deteve të Veriut, këto anije funksionojnë më së miri, por kur temperaturat rriten, turbinat e tyre nuk prodhojnë energji të mjaftueshme dhe anijet fiken totalisht. Qeveria britanike po harton një program riparimi për to që sigurisht do të kushtojë më shumë, diçka që ka bërë përgjegjësit e financave të vendit të rrudhin buzët.