Site icon Telegrafi

Llogaritë e gabuara të Avdulla Hotit

Numri i madh i qytetarëve që po kërkojnë para borxh nga bankat po e gëzon Ministrin e Financave të Kosovës, Avdulla Hotin. Ai po e sheh si fillim të mbarë për zhvillimin ekonomik të vendit edhe rritjen e remitencave si dhe shtimin e numrit të atyre që i lënë paratë në bankat komerciale në vend.
Por, qasja e tij po vlerësohet e gabuar nga njohësit e ekonomisë, pasi ekzekutivi sipas tyre nuk fokusohet në nevojat e vendit por në krahasime me periudha kur Kosova kishte thuajse zero zhvillim.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi thotë se sikurse kryeministri para disa muajsh, ashtu edhe Ministri i Financave, suksesin në 2015 po e llogarisin me 2014-ën, vit kur ka pasur bllokadë institucionale. “Nëse kryeministri dhe Ministri i Financave e konsiderojnë të suksesshme ekonominë ngase ajo është pak më mirë se 2014, kjo na jep një sinjal se kjo Qeveri do të merret më shumë me simbolika se sa me trajtim real të problemit”, thekson Demi.

Ai madje pyet ministrin Hoti nëse “kjo rritje në investime të huaja, rritje e depozitave, rënie e kredive, etj, rezultat i cilës politikë qeveritare është dhe, sa e ka përmirësuar gjendjen e qytetarëve?” “Duhet të rikujtojmë se vetë ministri Hoti dhe partia e tij gjatë 2014 kanë zhvilluar fushatë zgjedhore duke kritikuar shifrat ekonomike të qeverisë së kaluar për vitet 2013 e më herët, shifra të cilat kanë qenë dukshëm më të mira se sa ato të 2015, me të cilat po mburret ministri Hoti”, thotë Demi.

Kreu i GAP vlerëson se Kosova është shumë larg nivelit të zhvillimit ekonomik për të cilin dy partitë në pushtet kanë fituar vota dhe këta parametra ekonomik janë larg atyre të cilët do të sillnin një ndryshim real në jetën e qytetarëve.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një postim të tij në rrjetin social Facebook ka shkruar se viti 2015 nisi me një dinamikë të madhe sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas tij, politika ekonomike e Qeverisë së Kosovës ka filluar të japë efekt.

E këto efekt, ai i sheh te rritja e eksporteve me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak; rritjen e investimeve të jashtme nga 39 milionë sa kanë qenë në vitin 2014, në 164 milionë gjatë këtij viti; rritjen e depozitave në sistemin bankar me 7 për qind, e rritjen e kredive me 12 për qind.

“Ky trend pozitiv duhet të ruhet me çdo kusht. Nuk i falet askujt që ta dëmtojë kredibilitetin dhe stabilitetin në ekonominë vendore duke ndërmarrë veprime që qojnë sinjale negative tek investitorët dhe tek tregjet në përgjithësi”, ka shkruar ai.

Ibrahim Rexhepi drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale-STRAS thotë se këto janë vetëm disa nga të arriturat e kësaj qeverie dhe se ato nuk mund të mohohen. “Mirëpo, në fakt ato shënojnë një nismë të mbarë në vitin 2015, por jo edhe se Kosova ka hyre në një fazë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, tha Rexhepi.

Sipas Rexhepit për zhvillim të qëndrueshëm ende duhet pritur. Pasi që thotë ai se nuk ka asnjë indikator qe tregon për këtë, sukses filluar nga investimet, të cilat ndonëse kanë shënuar rritje nuk janë të orientuara në sektor që nxisin zhvillim dhe vende pune të qëndrueshme. “Pastaj deficiti tregtar mbetet shumë i lartë, nuk është finalizuar kontrata për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, që do të thotë se veç do të hyjmë në një krizë energjetike”, tha ai.

Sa i përket çështjes së rritjes së kredisë të cilën e përmendi ministri Hoti si të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të këtyre muajve Rexhepi thotë se nuk është inkurajuese,e as shpresëdhënëse.

“Rritja e kredive mund te reflektoj edhe rritjen e kërkesës për financim te zhvillimit. Por, nëse analizojmë strukturën e kreditimit, vërehet se vazhdon të prije tregtia, e cila është e bazuar ne import. Kjo do të thotë së paratë tërhiqen nga bankat në formë të kredisë, në mënyrë që të bëhen pagesa për mallra të importuara”, tha ai. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version