Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga sot u bëri thirrje të gjithë partive politike që me konsensus të miratojnë Kodin e ri Zgjedhor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Lloga gjatë fjalimit në konferencën “reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut” tha se iniciativa e tij është që partitë politike të ulen në të njëjtën tavolinë me qëllim të gjetjes së një modeli pas së cilës do të përgatitet Kodi i ri Zgjedhor dhe të arrihet konsensues për çështje të caktuar.
“A na duhet kjo reformë? Përgjigja është po. Kodi Zgjedhor duhet të hyjë në fuqi të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve, në mënyrë që institucionet të përgatiten për zbatimin pa probleme të ndryshimeve.
Në raportin e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Misioni i Posaçëm i Vlerësimit të Zgjedhjeve i ODIHR bëri të qartë se ka ende një sërë çështjesh në kuadrin ligjor për zgjedhjet që duhet të adresohen.
Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse për ta harmonizuar brenda kornizës dhe me ligjet e tjera përkatëse, për të qenë në përputhje me objektivat e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira”, tha Lloga.
Lloga njoftoi se Ministria e Drejtësisë është në proces të formimit të grupit të punës me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të mundshme./Telegrafi/