Telegrafi

Lloga i reagon kryetarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë: Jam i befasuar nga deklarata e tij

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka reaguar ndaj deklaratës së Kryetarit të Këshillit të Prokurorëve Antonio Jolevski, i cili tha se Lloga nuk ka të drejtë të kërkojë procesverbalin e mbledhjes së Këshillit Gjyqësor.

Lloga nëpërmjet një reagimi në Facebook thotë se si anëtar i Këshillit Gjyqësor, ka të drejtë të reagojë dhe të kërkojë përmbushjen e detyrimit për dërgimin e procesverbalit të seancës së Këshillit Gjyqësor.

“Sipas Kushtetutës, Ministri i Drejtësisë është anëtar i Këshillit Gjyqësor sipas detyrës zyrtare. Këshilli Gjyqësor fton rregullisht ministrin të marrë pjesë në seancat dhe dërgon raporte për punën e tij. Neni 15 i Rregullores përcakton se procesverbali, përveç të dhënave të tjera, përmban të dhëna për rendin e ditës që është konstatuar në seancë, parashtrimet, deklaratat dhe propozimet e të pranishmëve në seancë, diskutimin e zhvilluar, vendimet e marra dhe rezultatin e votimit. Procesverbali shqyrtohet dhe miratohet në seancën e Këshillit dhe pas vërejtjeve të mundshme, Këshilli nxjerr përfundimin që është pjesë përbërëse e procesverbalit të cilit i referohet vërejtja”.

“Procesverbali i miratuar i mbledhjes së Këshillit nënshkruhet nga kryetari i Këshillit dhe sekretari i përgjithshëm, përkatësisht personi që ka mbajtur procesverbalin. Këshilli Gjyqësor është i detyruar që një kopje të procesverbalit t’ua dorëzojë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor në mënyrë elektronike. Ministri i Drejtësisë, si anëtar i Këshillit Gjyqësor, ka të drejtë të reagojë dhe të kërkojë përmbushjen e detyrimit për dërgimin e procesverbalit të seancës së Këshillit Gjyqësor. Ju njoftoj se deri në këtë moment Ministria e Drejtësisë nuk ka marrë ende përgjigje për shkresën me shkrim të Këshillit Gjyqësor, e cila kërkonte që procesverbali i seancës së 438-të dhe rendi i ditës i miratuar të dërgohej për shqyrtim”, thuhet në reagimin e Llogës.