Koha është të rikthehet besimi në gjyqësor, ndërsa prokurorët publikë gjatë zbatimit të procedurave dhe marrjes së vendimeve të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe autonome, theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në fjalimin e tij në Konferencën: “Përmirësimi i efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së Prokurorisë Publike”.
Lloga, siç njoftoi Ministria e Drejtësisë tha se pa dukshmëri të punës dhe të rezultateve të arritura, pa të dhëna krahasuese të matshme dhe cilësore të cilat grumbullohen dhe përpunohen në të njëjtën mënyrë sikur në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, drejtësia do të mbetet e verbër dhe e heshtur, ndërsa qytetarët nuk do ta fitojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre të garantuar me kushtetutë.
“Proceset e ardhshme të digjitalizimit, hapjes dhe transparencës për Prokurorinë Publike janë kusht që ajo të mbijetojë. Në periudhën e kaluar, ndonëse me ndërmjetësimin dhe ndihmën e miqve tanë nga bashkësia ndërkombëtare, janë organizuar një numër i madh trajnimesh për njerëz nga gjyqësori i vendit, veçanërisht për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, nuk ka mbulim ndoshta për pjesën më të rëndësishme të punës së tyre, që është mënyra e zbatimit të pavarësisë dhe autonomisë së tyre, veçanërisht në zbatimin e procedurave dhe vendimmarrjes. Prandaj, ju ftoj që gjatë realizimit të trajnimeve në të ardhmen të vini theksin në punën e pavarur, ligjore, të paanshme dhe objektive të prokurorisë publike. Koha është për të ecur para dhe për të riparuar reputacionin tonë me publikun dhe institucionet vendase dhe ndërkombëtare”, tha Lloga.
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, njoftoi se, nga 1 janari i këtij viti, Ministria e Drejtësisë dha rekomandim që në prokuroritë publike patjetër të zbatohet sistemi për menaxhim me lëndët. Ky do të jetë një mjet për kryerjen e detyrave themelore të Prokurorive Publike, me të cilin do të sigurohet ruajtja e informatave, ndjekja dhe arkivimi i lëndëve si dhe qasjen në çdo moment. Ky sistem siguron rrjedhë të pandërprerë të të dhënave, ndërsa qëllimi kryesor është automatizimi i proceseve nëpërmjet të digjitalizimit dhe ruajtja e dokumentacioneve duke siguruar shkallë të lartë sigurie.