Telegrafi

Lloga: Pres që Palevski të ekstradohet nga Turqia relativisht shpejt

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, shpreson se Ljupço Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, do të ekstradohet relativisht shpejt nga Turqia dhe pret që Ankaraja zyrtare ta shqyrtojë këtë javë kërkesën për ekstradimin e tij, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Është ende herët për të folur për ndonjë gjë, siç e thamë dy ditë më parë. Ne presim dërgimin e tij në Maqedoni relativisht shpejt, por duhet të shohim nëse do të përdoren të gjitha mjetet juridike dhe nëse sistemi në Turqi do të lejojë që të jetë ashtu siç kemi kërkuar. Dokumentet janë dërguar disa herë, përmes DHL-së, elektronikisht, MPJ-së tonë dhe Ambasadës. Besoj se nga e hëna të gjitha këto kërkesa tona do të merren parasysh në procedurën e mëtejshme në Turqi”, thotë Lloga sot para fillimit të një forumi të organizuar nga partia e tij Aleanca për Shqiptarët.

Të enjten, Ministria e Drejtësisë dërgoi kërkesë për ekstradimin e Palevskit. Nga Ministria dy ditë më parë theksuan se dokumenti origjinal i është dërguar përmes DHL Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë dhe versioni i skanuar i është dërguar edhe Interpolit.

Kërkesa për ekstradim që Lloga nënshkroi pardje vjen pas arrestimit të Palevskit më 5 dhjetor në Turqi, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar si i dyshuar për dy krime “rrëmbim” dhe dy “vrasje”./Telegrafi/