Ndryshimet kushtetuese, vetingu, Kodi Zgjedhor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, gjendja në burgjet dhe përparimi i bashkëpunimit në pjesën e reformave në gjyqësor ishin disa nga temat për të cilat biseduan Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës së SHBA në Shkup, Eric Meyer, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Lloga, siç theksojnë nga atje, e informoi Meyer se pret që të gjitha partitë parlamentare, duke përfshirë edhe OBRM-PDUKM-në, më së voni deri më 10 prill, të propozojnë nga një anëtar të tyre për në grupin punues i cili do të përgatisë ndryshimet kushtetuese. Pritet që grupi punues zyrtarisht të formohet deri nga mesi i këtij muaji.
“Lidhur me vetingun, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, përsëriti se ky proces do të mund të realizohet vetëm me një përkrahje të qartë nga SHBA dhe BE. Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës së SHBA, Eric Meyer, u informua edhe për ligjet të cilat janë në procedurë parlamentare, zgjidhja e re ligjore për Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë me të cilin ligj propozohet riorganizim i provimit pranues me synim të përgatitjes më të mirë të kandidatëve për pjesëmarrje të suksesshme në trajnime, ridefinimi i mënyrës së dhënies së provimit përfundimtar duke u bazuar në qëndrime dhe kriteriume objektive për vlerësimin e diturive të kandidatëve. U diskutua edhe për rastet politike të montuara dhe ndodhitë e fundit në INP Idrizovë dhe burgjet tjera në shtet”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë./Telegrafi/