Site icon Telegrafi

Lloga: Monitorimi i shpërndarjes së lëndëve si në gjyqësor, duhet të zbatohet edhe në Prokurori

Ministri i ri i Drejtësisë Krenar Lloga, thotë se monitorimi i shpërndarjes së lëndëve në Prokurori, duhet të jetë i njëjtë sikur në gjyqësor.

Në një intervistë në televizionin Alsat-M, ai tha se ka marrë mbështetjen e kryeministrit të vendit, por edhe të partive të tjera politike për të filluar rrugën drejt procesit të vetingut.

Zgjidhja që duhet të kërkohet sipas tij, është zgjidhje sistematike në sistemin e drejtësisë dhe për këtë tha se do të duhet edhe angazhimi për kuadrin ligjor. Për çështjen e reformave në gjyqësor dhe prokurori, ministri Lloga, tha se disa ndryshime janë bërë nga strategjia e vitit 2017, por shtoi se disa ndryshime të tjera duhet të bëhen tani, duke filluar nga sistemi i monitorimit të shpërndarjes elektronike të lëndëve.

“Domethënë ditën që jam futur në ministri, kam kërkuar si bëhet monitorimi i proceseve të shpërndarjes së lëndëve në mënyrë elektronike në prokurori. Dhe aty më është thënë, se nga 1 janari ka filluar të kryhet ky proces por në fakt kjo kryhet edhe në sistemin e gjyqësorit, ku është me atë që është e famshme me AKMIS-in që është keqpërdorur dhe tani ministria ka instrumentin e vetë për të kontrolluar përmes trupave të vetë këtë proces, sa lëndë janë në proces, si ndahen ato dhe këtë kam kërkuar që e njëjta zgjidhje ligjore të vlejë edhe për procesin e përzgjedhjes së lëndëve në prokuroritë e vendit. Domethënë që edhe aty do të ketë ndryshime ligjore dhe neni 107 do të ndryshohet dhe do të shtohet që të ketë mbikëqyrje edhe Ministria e Drejtësisë”, u shpreh ministri Lloga.

 

Exit mobile version