Telegrafi

Llapi i pandalshëm, triumfon edhe ndaj 89-shit

Katër fitore nga skuadrat vendase

Ka përfunduar java e 15-të në elitën e futbollit kosovar.

Në katër ndeshjet e fundit fitore kanë shënuar skuadrat vendase.

Llapi ka triumfuar në kryendeshjen e javës duke mposhtur skuadrën e Trepçës ’89 me rezultat 2-0.

Ishte sulmuesi Berat Hyseni që ka realizuar dy golat e vetëm në këtë sfidë 12 minuta para fundit të saj fillimisht ndërsa të dytin në minutën e fundit të ndeshjes.

Pas kësaj fitore Llapi ngritët në pozitën tretë në tabelë me 32 pikë, dy më pak se lideri Prishtina.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli ka humbur në Ferizaj nga skuadra me po të njëjtin emër 2-0.

Elbasan Thaqi dhe Muhabi Bushi shënuan golat për fitoren e dytë radhazi të Ferizajt.

Ndërkohë fitore ka shënuar edhe Drita e Gjilanit pas 14 javëve në Superligë.

Bardh e kaltërtit kanë mposhtur Lirinë me rezultat të ngushtë 1-0 falë një goli nga braziliani Gilberto.

Ndërkohë fitoren e parë në këtë kampionat e ka shënuar edhe Trepça që e ka mposhtur Hajvalinë me rezultat 3-0.

Hasan Hyseni shënoi dy gola ndërsa Blerim Berisha një tjetër në suksesin e mitrovicasve. /Telegrafi/