Komisioni për Ankesa i shkallës së dytë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka refuzuar gjithashtu kërkesën e Llapit për të marrë fitoren në tavolinë në ndeshjen e humbur ndaj Malishevës.
Llapi u mposht nga Malisheva me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, por kërkoi tri pikët duke pretenduar se lojtari Rilind Haziraj ka luajtur me katër kartonë dhe se fitorja iu takon atyre, pasi sulmuesi nuk kishte të drejt loje.
Shkalla e parë e Komisionit të Ankesave ia refuzoi kërkesën Llapit dhe klubi nga “Zahir Pajaziti” iu drejtuar shkalles së dytë.
Megjithatë, Llapi u refuzua edhe nga shkalla e dytë për të njëjtën arsye.
Vendim i Komisionit për Ankesa
Me datë 18.03.2024 “KF Llapi 1932” ka ushtruar ankesë në procedure të rregullt në shkallën e dytë e FFK-së, gjegjësisht komisionit për ankesa ku janë plotesuar të gjitha kushtet për shqyrtimin e kësaj lënde.
Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, në përbërje Haki Xhemjali kryetar, Sitki Baftiu dhe Remzi Azemi anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 21.03.2024 shqyrtoi ankesën e “KF Llapi 1932” me nr Reference 1522/1, ushtruar me datë 18.03.2024 ku atakohet vendimi i komisionit të garave i datës 15.03.2024. Komisioni i ankesave pas shqyrtimit të lëndës duke trajtuar me kujdes të gjitha shkresat dhe aktet normative në fuqi në mënyrë unanime nxjerri këtë:
V E N D I M
Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë vërteton se vendimi i komisionit të garave për ndeshjen e zhvilluar me datë 13.03.2024 në mes të KF Malisheva dhe ’’KF Llapi 1932’’ ka qenë i drejtë dhe se ankesa e KF Llapi 1932 hedhet poshtë.
ARSYETIM
Komisioni për ankesa në përbërje të plotë me datë 21.03.2024 ka shqyrtuar me kujdes këtë ankesë, të gjitha shkresat e lëndës, vendimin e komisionit të garave dhe në mbështetje të rregullores së garave të FFK ka vërtetuar vendimin e komisionit të garave të datës 15.03.2024, duke e cilësuar si vendim të drejtë i cili mbetet në fuqi.
Në ankesën e ’’KF Llapi 1932’’ atakohet vendimi i komisionit të garave duke u thirrur në nenin 62 të propozicionit të garave i cili përcakton rregullat e përgjithshme dhe afatet kohore në procedimin e ankesave në rrjedhën e përgjithshme të kampionatit. Përjashtimisht këtij rregulli kur gjirot zhvillohen të dielën dhe të mërkurën atëherë kompletimi i lëndës së ankesës dhe taksimi i saj duhet të bëhet brenda 24 orëve nga përfundimi i ndeshjes së zhvilluar. Loja në mes të KF Malisheva dhe ’’KF Llapi 1932’’ është zhvilluar ditën e mërkurë të datës 13.03.2024 dhe gjiroja pasuese në kuadër të kampionatit ka qenë në fundjavë, atëherë për rastin në fjalë duhet zbatuar rregulli i nenit 72, të Rregullores se garave të FFK-së. Me këtë rast ’’KF Llapi 1932’’ nuk i ka respektuar afatet kohore me rastin e procedimit të taksimit për këtë lëndë dhe me të drejtë ankesa është cilësuar e pa afatshme. Duke u bazuar në të gjitha faktet referuar më lart vlerësohet se vendimi i shkallës së parë është drejtë dhe në përputhje me aktet normative të FFK-së.
Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, mori këtë vendim bazuar në nenin 120 pika A të Rregullores Disiplinore.
Këshilla Juridike:
Pala e pakënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës në mbrojtje të Rregullores (ligjshmërisë në afatin kohor prej tetë ditëve nga publikimi i vendimit në ëeb faqen zyrtare të FFK-së).
/Telegrafi/