Llapi ka arritur ta mposhtë me rezultat minimal Gjilanin 1-0.
Vendasit rrezikuan të parët në minutën e dytë me kapitenin Hamdi Namani që tentoi nga distanca.
Vetëm tre minuta më vonë, Florim Bërbatovci depërtoi bukur në zonë por goditja e tij ishte e plogësht.
Gjilani u kundërpërgjigj me dy raste tjera shënimi me Betim Haxhimusen i cili në minutën e 10-të nuk arriti të shënoj në portën e zbrazët, ndërsa 12 minuta më vonë goditi jashtë.
Mentor Zhdrella tentoi goditjen e tij nga largësia por vetëm mbi portën e Kaçiut.
Gjilani rast të mirë pati edhe me Hasan Hysenin që doli i vetëm me portierin Beqiri por që gjuajti jashtë portës.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për Llapin të cilët në minutën e 48’ fituan një penallti.
Sulmuesi më i mirë në Kosovë, Mirlind Daku u ndal në zonë nga kapiteni i mysafirëve Kastrati.
Përgjegjësinë për ta ekzekutuar penalltinë e mori vetë Daku që u tregua i saktë për 1-0.
Vendasit mbetën me një futbollist më pak në minutën e 77’, mbrojtësi Ilir Blakcorri u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Bekteshi i Gjilani tentoi barazimin duke gjuajtur me kokë por nuk ishte i saktë.
E në fund të ndeshjes edhe Gjilani mbeti me 10 futbollistë pasi Ylber Kastrati u ndëshkua direkt me karton të kuq.
Kësisoj Llapi ngjitët në pozitën e katërt në tabelë pas kësaj fitore me 42 pikë të tubuara.
Ndërsa Gjilani zë pozitën e shtatë me 39 pikë pas 26 ndeshjeve.
Në ndeshjen e ardhshme Llapi do të luaj në udhëtim te Liria, ndërsa Gjilani pret Feronikelin. /Telegrafi/