Telegrafi

Llapi mësoi kundërshtarin në Ligën e Konferencës, Batatina: Tifozët tanë meritojnë më të mirën në garat ndërkombëtare

(Foto: Facebook/Tahir Batatina)

Sot (e martë) në Nyon të Zvicrës është mbajtur shorti i Ligës së Konferencës, ku Llapi e mësoi kundërshtarin e vet. Në raundin e parë kualifikues, skuadra nga Podujeva do të përballet me skuadrën nga Mali i Zi, FK Buducnost Podgorica, ndërsa ndeshjen e parë do ta zhvillojë në rolin e mysafirit.

Ndërkaq, pasi që mësoi kundërshtarin e tij në këtë garë, trajneri Tahir Batatina e cilësoi këtë short të favorshëm dhe se skuadra do të përgatitet maksimalisht për të korrur suksese.

Lexo po ashtu Liga e Konferencës: Drita me Inter Turkun, Gjilani dhe Llapi më lehtë

“E shoh një short të favorshëm, megjithatë duhet analizuar mjaft mirë kundërshtarin. Tashmë e kemi edhe përvojën pasi që vitin e kaluar ishte viti i parë i yni në Evropë dhe nuk kishim atë eksperiencën e duhur për të bërë më tepër”.

“Do hymë pa eufori, të qetë dhe me hapa të sigurt. Tifozët tanë meritojnë më të mirën në garat ndërkombëtare dhe për këtë do punojmë maksimalisht që të korrim bashkërisht suksese”, ka deklaruar trajneri për faqen zyrtare të klubit.

Ndeshja e parë mes FK Buducnost Podgorica dhe KF Llapit zhvillohet më 7 korrik, kurse ajo e kthimit më 14 korrik.