Llapi ka arritur të kthehet te rezultatet pozitive pas humbjes javën e kaluar.
Ekipi i Tahir Batatinës ka mposhtur në shtëpi Gjilanin me rezultat minimal 1-0.
Të dyja skuadrat e nisën furishëm ndeshjen me raste të mira shënimi.
Vendasit kishin dy raste të mira shënimi, nëpërmjet Mirlind Dakut dhe Getoar Dragushës por portieri Donat Kaçiu intervenoi mirë.
Ndërkohë Gjilani rrezikoi me Gzim Rusin dhe Egzon Shabanin por pa sukses për ta mposhtur Ilir Avdylin.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç filloi pa gola 0-0.
Edhe në pjesën e dytë ekipet kërkonin me çdo kusht golin e epërsisë.
Mirëpo ata që shënuan ishin vendasit të cilët janë në luftë për titull të kampionit.
Në minutën e 86-të erdhi goli i shumëpritur në Podujevë.
Ishte sulmuesi Florim Bërbatovci që shënoi me një goditje të fortë për fitoren e mundimshme të Llapit.
Fitorja ndaj Gjilanit e ngritë në pozitën e tretë në tabelë skuadrën e Tahir Batatinës me 39 pikë të tubuara, gjashtë më pak se Trepça ’89. /Telegrafi/