Telegrafi

Llapi korr fitore në udhëtim ndaj Gjilanit

Llapi ka fituar me rezultat 2-0 në udhëtim ndaj Gjilanit në kuadër të xhiros së 15-të në Albi Mall Superligë.

Ka qenë një pjesë e parë e qetë me dy skuadrat që kanë pasur vetëm nga një rast për t’u veçuar.

Po luhej minuta e 18-të kur Gjilani arrin të krijojë rastin e parë serioz por goditjen e Kushtrim Shabanit e devijuan mbrojtësit llapjanë.

Llapi në anën tjetër rastin më të mirë e pati në minutat shtesë të pjesës së parë. Goditjen e Hamdi Namanit brenda zonës së rrezikshme e ndali me sukses Betim Halimi i vendasve.

Kësisoj 45 minutat e para përfunduan me rezultatin e barabartë 0-0.

Pjesa e dytë ishte më e gjallë nga të dyja skuadrat që krijuan më shumë raste shënimi, ndonëse intervalet e herë pas hershme të borës e pengonin zhvillimin normal të ndeshjes.

Goli i parë për Llapin në këtë takim erdhi në minutën e 82-të.

Pas një kundërsulmi të llapjanëve, Valmir Veliu pranoi një super pasim nga Ahmed Januzi dhe u tregua gjakftohtë para portës duke shënuar për rezultatin 1-0.

Golin e dytë ekipi i Batatinës e gjeti në minutën e tretë shtesë kësaj radhe përmes Muhamet Hysenit, i cili shënoi një gol të bukur për 2-0 pas asistimit të Januzit i cili këtë ndeshje kapi shifrën e dy asistimeve.

Kjo ishte fitorja e dytë e Llapit në pesë ndeshjet e fundit ndërsa për Gjilanin ishte humbja e dytë radhazi pasi kanë pësuar edhe xhiron e kaluar në udhëtim ndaj Malishevës. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore