Telegrafi

Llapi konfirmon shkarkimin e Bylbyl Sokolit

Te Llapi ditët e fundit nuk kanë qenë të qeta. Kjo pasi që trajneri Bylbyl Sokoli ishte sulmuar në hyrje të banesës së tij nga persona ende të paditur për organet.

Humbja me Prishtinën dhe Feronikelin i kanë kushtuar me punë trajneri.

Madje klubi edhe pse është në vendin e tretë, thotë se nuk kishte rezultatet në komunikatën e tyre.

“KF Llapi nga mbledhja e mbajtur ka analizuar dhe shqyrtuar me vëmendje ecurinë e kampionatit për këto tetë xhiro dhe nga kjo kemi ardhur në përfundim se shkarkimi i kryetrajnerit, Bylbyl Sokoli ishte i paevitueshëm”.

“Arsyet kryesore të shkarkimit të tij ishin rezultatet jo të mira të skuadrës në këto tetë xhiro si dhe mungesa e harmonisë mes lojtarëve dhe kryetrajnerit që dolën të jenë mungesa e rezultateve të deritanishme”, shkruhet në komunikatën e Llapit.

Aty thuhet se drejtori sportivi, Tahir Batatina, është duke biseduar me tre trajnerë dhe do të vendoset së shpejti.

“E falënderojmë kryetrajnerin Bylbyl Sokoli për kohën e kaluar në KF Llapi, ndërsa Drejtori Sportiv, Tahir Batatina është në bisedime me tre trajnerë për të ardhur në stolin e Llapit”, përfundon komunikata.

Llapi ka 16 pikë në vendin e tretë, shtatë pikë më pak se lideri Feronikeli. /Telegrafi/