Me rezultat 3-0, Llapi ka fituar si mysafir i Ballkanit, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.
Rezultati u zhbllokua që në minutën e gjashtë, kur Mentor Zhdrella u tregua fantastik me një goditje nga gjuajtja e lirë.
Skuadra mysafire vazhdoi të luante mirë, ndërsa në minutën e 26-të shënoi edhe golin e dytë. Ahmed Januzi realizoi me kokë, pas një harkimi nga Zhdrella.
Llapi e gjeti golin edhe në fraksionin e dytë të lojës, ndërsa golashënues ishte Ahmed Januzi me golin e dytë personal në këtë takim (66’).
Kujtojmë që Llapi e nisi me humbje sezonin 2018/2019 në Superligën e Kosovës në futboll duke pësuar në shtëpi nga Drenica.
Nga ana tjetër, Ballkani befasoi me një gol të vonshëm duke e mposhtur Lirinë në udhëtim.
Në këtë mënyrë, pas dy javëve të para në Superligë, Ballkani dhe Llapi numërojnë nga tri pikë. /Telegrafi/