Site icon Telegrafi

Llapi fiton ndaj Gjilanit, vazhdon garën për titull

(Foto: Facebook/K.F.Llapi)

Me fitore 2-1, Llapi e ka mposhtur Gjilanin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, për të vazhduar garën për titullin e IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Mentor Zhdrella ishte futbollisti më i rrezikshëm i skuadrës vendase në minutat e para, ndërsa rriti ta zhbllokojë rezultatin me një goditje nga distanca (22′).

Mysafirët u përpoqën të ndërtonin aksione gjatë fraksionit të parë, mirëpo shkuan në pushim me disavantazh.

Rezultati u barazua në minutat e para të gjysmës së dytë (52′). Endrien Magani dërgoi një goditje që u ndal në rrjetën e Eglant Haxhos.

Në vazhdim, Zhdrella e pati një tjetër rast të mirë për vendasit, ndërsa Shpend Asani dhe Salih Kosumi rrezikuan për mysafirët.

Valmir Veliu riktheu epërsinë e nikoqirëve (76′) duke shënuar me kokë në portën e Kenan Haxhihamzës.

Me këtë fitore, Llapi ngritet në kuotën e 60-të pikëve dhe qëndron dy pikë prapa Prishtinës që fitoi kundër KEK-ut, dhe dy pikë prapa Feronikelit, pasi lideri i deritanishëm pësoi nga Ferizaj.

Gjilani është në vend të shtatë në tabelë, ndërsa objektivi i mbetet shmangia e zonës së ‘play-outit’. /Telegrafi/

Exit mobile version