Java e 19-të në Ipko Superligën e Kosovës ka startuar ditën e premte me ndeshjen Vushtrria – Drita që i takoi gjilanasve me rezultat 2-3.
Ndërkohë ditën e sotme do të zhvillohen dy super ndeshje në elitën e futbollit kosovar.
Ndeshje derbi do të luhet në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, ku Llapi është nikoqir i Feronikelit.
Dy skuadrat ende nuk kanë shijuar fitore në pranverë, pasi në ndeshjet e para barazuan në udhëtim.
Llapi luajti pa gola te Dukagjini 0-0, derisa Feronikeli u ndal nga Ferizaj në një barazim 1-1.
Si ekipi i Tahir Batatinës ashtu edhe i Agim Sopit për qëllim kanë triumfin, pasi në të kundërt do të rrezikonin t’i afroheshin më shumë pozitave që i dërgojnë në Ligën e Parë.
Ndeshje shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj.
Drenica e uritur për pikë do të ketë përballë skuadrën kryeqytetase Prishtinën.
Drenicasit pësuan humbje 3-0 në ndeshjen e parë nga Ballkani, ndërsa Prishtina kishte demoluar Vushtrrinë 4-0.
Takimi i parë mes këtyre dy skuadrave në kryeqytet kishte përfunduar me rezultat të bardhë 0-0.
Që të dy sfidat do të fillojnë me orar të njëjtë nga ora 13:00. /Telegrafi/
Ipko Superliga e Kosovës
E premte:
Vushtrria – Drita 2-3
E shtunë:
13:00 Drenica – Prishtina
13:00 Llapi – Feronikeli
E diel:
13:00 Gjilani – Flamurtari
13:00 Ballkani – Ferizaj
13:00 Trepça ’89 – Dukagjini