Site icon Telegrafi

“Llamkos” shkon në likuidim, punëtorët kërkojnë të mos i ndërrohet destinimi

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për çështje Ekonomike, në mbledhjen e 8 shkurtit kishte nisur procedurën e falimentimit të ndërmarrjes “Llamkos”, duke e udhëzuar administratorin e falimentimit ta organizojë shitjen përmes ankandit publik.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Sindikata e punëtorëve të “Llamkosit”, ku kërkon që kjo ndërmarrje të shitet me kushte.

Kryetari i sindikatës, Ragip Hasani, ka thënë për Telegrafin se “Llamkosit” nuk duhet t’i ndërrohet destinimi aktual, në të kundërtën do të rrezikohet mbyllja e 500 vendeve të punës.

“Ne si sindikatë çdo herë kemi kërkuar që ‘Llamkosi’ të sitet me kushte, në mënyrë që mos t’i ndërrohet destinimi për prodhimin e llamarinës të zinkuar. Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Ekonomik ka përkrahur propozimin e administratorit likuidues për shitjen e ‘Llamkosit’ pa kushte, që mund t’i ndërrohet destinimi në bazë të vendimit të Gjykatës. Sindikata ka protestuar disa herë, ka bërë kërkesë në Kuvend dhe Qeveri që kjo fabrikë të jetë pronë e shtetit, në mënyrë që mos të shitet për 4.8 milionë euro dhe të mbyllen 500 vende të punës”, tha Hasani.

Ai shtoi se janë optimist që nga kompanitë që kanë konkurruar për likuidim do ta aktivizojnë këtë kompani.

“Sipas informatave në këtë akand kanë konkurruar katër kompani, mund të ndodh që këto kompani të aktivizojnë ‘Llamkosin’. Ndoshta mund të kemi fat që njëra ta riaktivizoj këtë gjigant ekonomik”, tha për Telegrafin, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani.

Lexo po ashtu Njoftim për shitje përmes ankandit publik

Sipas njoftimit për shitje përmes ankandit publik, vlera ofertuese minimale për këtë kompani do të jetë 4.8 milionë euro, ndërsa ankandi do të zhvillohet më datë 15 prill duke filluar nga ora 10:00.

Ndryshe, privatizimi i fabrikës “Llamkos” të Vushtrrisë kishte dështuar dy herë dhe që nga viti 2015 dhe kjo ndërmarrje ka mbetur në proces të falimentimit. /Telegrafi/

Exit mobile version