Site icon Telegrafi

Ljube Boshkovski zyrtarisht punësohet si këshilltar i Zaevit

Ish ministri i Brendshëm gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni Ljube Boshkovski është bërë pjesë e kabinetit të kryeministrit Zoran Zaev si këshilltar i posaçëm për investimet e huaja.

Nga Qeveria theksojnë se nga të gjithë kandidatët e paraqitur në konkursin për këshilltarë të posaçëm vetëm Boshkovski i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Boshkovski kohë parë u lirua nga burgu, ndërsa ishte i dënuar me 5 vite burg për financim joligjor të partisë së tij “Të bashkuar për Maqedoninë” në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2011. Pikërisht për mënyrën e arrestimit të Boshkovskit lëndë hapi edhe Prokuroria Speciale me emrin “Tortura” dhe përmes procesit gjyqësor ndiqet ish kreu i DSK-së Sasho Mijallkov si porositës i arrestimit nënçmues.

Ndërkohë kundër Boshkovskit në Gjykatën e Hagës u zhvillua proces gjyqësor për krime lufte në fshatin Luboten të Shkupit ku gjatë konfliktit të vitit 2001 u vranë 10 persona në mesin e të cilëve edhe një fëmijë 6 vjeçar. Më vonë Boshkovski u lirua nga të gjitha akuzat.

Ndërkohë në konkursin e fundit të Qeverisë u zgjodhën edhe 4 këshilltarë të tjerë të posaçëm të kryeministrit edhe atë Fidan Kolev këshilltar për transport dhe Lidhje, Rubin Zemon, këshilltar për shoqërinë shumëkulturore, Fatmir Bytyqi, këshilltar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Gjorgji Tasev këshilltar për të rinj dhe sport.

Exit mobile version