Liverpooli ka fituar me rezultat të thellë 4-0 në ndeshjen e tyre në udhëtim te Bournemouthi, e cila ishte e vlefshme për javën e 18-të të kampionatit anglez.
Pas dy barazimeve radhazi, skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp i është kthyer fitoreve në Ligën Premier pikërisht në ndeshje ndaj Bournemouthit.
Redsat e dominuan gjithë takimin dhe forca dhe uria e tyre u pa qysh nga minuta e parë, por u desh të presim minutën e 20-të për të parë zhbllokimin e rezultatit, kur Philippe Coutinho shënoi një gol të bukur duke kaluar disa lojtarë pas asistimit të mbrojtësit Andrew Robertson.
Nuk kaloi shumë dhe vetëm pas gjashtë minutave erdhi edhe goli i 2-0, ku protagonist ishte mbrojtësi Dejan Lovren, i cili shënoi me kokë pas asistimit të Roberto Firminos.
Deri në fund të pjesës së parë, Redsat arritën të gjejnë edhe një gol tjetër, ku kësaj radhe ishte i përhershmi Mohamed Salah që shënoi një gol të bukur në minutën e 44-të për 3-0 dhe dërgoi skuadrat në pushimin mes dy pjesëve.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të skuadrës nga Anfield që vazhdoi me sulme, por edhe menaxhoi mirë lojën duke arritur të shënojnë edhe një gol tjetër dhe të vulosin fitoren.
Ishte sulmuesi brazilian, Roberto Firmino, i cili shënoi në minutën e 66-të për 4-0 dhe vulosi rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshjes.
Kjo fitore e kthen Liverpoolin në pozitën e katërt në tabelë me 34 pikë të mbledhura, ndërsa Bournemouthi renditet në vendin e 16-të me 16 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Redsat udhëtojnë në Emirates për derbin e javës ndaj Arsenalit, ndërsa Bournemouthi udhëton te Manchester City. /Telegrafi/
https://twitter.com/RFahy00/status/942437887714496512