Liverpooli ka refuzuar një ofertë prej 14 milionë eurosh nga ekipi francez Marseille për transferimin e mesfushorit Wataru Endo.
Mbetet të shihet nëse Marseille do të rikthehet me një ofertë më të lartë për reprezentuesin japonez, i cili gjithashtu po tërheq interesim të madh nga një numër klubesh në Bundesliga.
Liverpooli nuk e ka për synim shitjen e tij, andaj koha e ofertës nga Marseille, mungesa e opsioneve në treg në aspektin e prurjeve të reja dhe nevojat aktuale të Arne Slot, kanë kontribuar që oferta të refuzohet.
31-vjeçari i cili ka edhe tri vite të mbetura në kontratën e tij, ka bërë 43 paraqitje për Liverpoolin sezonin e kaluar pas transferimit të tij prej 16.2 milionë eurosh nga Stuttgarti.
Liverpool e transferoi atë pasi e humbi garën ndaj Chelseat për shërbimet e Moises Caicedos dhe Romeo Lavias gushtin e vitit të kaluar.
Endo, i cili është pjesë e ekipit të Liverpoolit në Filadelfia për miqësoren e dytë në Amerikë, ka duruar një fillim të vështirë në ‘Anfield’, por është përmirësuar dukshëm në aspektin e shpejtësisë dhe nivelit fizik që kërkon Liga Premier.
Slot ka opsione të tjera për rolin që e mbulon Endo me emra si Alexis Mac Allister, Curtis Jones dhe Stefan Bajcetic, por në rast se Endo largohet këtë verë, atëherë do të nevojitet zëvendësimi i tij.
Ish-trajneri i Brightonit, Roberto De Zerbi, mori drejtimin e Marseille muajin e kaluar dhe tashmë ka përforcuar ekipin e tij duke transferuar Mason Greenwood dhe Pierre-Emile Hojbjerg./Telegrafi/