Liverpool ka punësuar ekspertin e bejsbollit, Theo Epstein, në përpjekje për të gjetur zëvendësuesin e Jurgen Klopp pas njoftimit të tij shokues për largim në fund të sezonit.
Epstein tani do të jetë një këshilltar i posaçëm në përpjekje për të filluar ‘gjahun’ për zëvendësuesin e Kloppit.
Epstein mban një përqindje të vogël të aksioneve të Fenway Sports Group, e cila ka në zotërim Liverpoolin dhe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në bejsboll.
Ai është bërë i famshëm në botë pasi theu dy rekorde të mëdha, duke e udhëhequr Boston Red Sox drejt titullit të parë në 86 vite dhe Chicago Cubs drejt titullit të parë pas 108 vitesh.
“Jam i emocionuar dhe i nderuar të rikthehem tek FSG. Kjo është një mundësi me të vërtetë unike për mua, një mundësi për të bashkëpunuar me persona që kanë shumë kuptim për mua, një mundësi për të sfiduar veten në fusha të reja, një mundësi për të përdorur përvojën time dhe perspektivën për të ndihmuar të tjerët të kenë suksese dhe të fitojnë në nivelet më të larta”, ka thënë Epstein.
“Në këtë rol, unë nuk do të jem personi që do të marrë vendimet, në vend të kësaj do të jem ai që do të bëjë pyetje, duke ofruar opinione, duke ndërtuar besim dhe duke mbështetur personat tek FSG për të na ndihmuar neve të arrijmë në nivele më të larta”, u shpreh ai.
Liverpooli tashmë është lidhur me një numër të madh trajnerësh për të zëvendësuar Kloppin. Ish-mesfushori Xabi Alonso mendohet të jetë favoriti kryesor pas rezultateve fantastike me Bayer Leverkusenin, por në listën e ngushtë të tyre gjithashtu janë edhe Roberto De Zerbi (Brighton) dhe Ruben Amorim (Sporting Lisbona)./Telegrafi/