Ylli i Real Sociedadit, Martin Zubimendi, mund të bëhet sërish një objektiv për Liverpoolin gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sociedadi luftoi fortë për të siguruar shërbimet e Zubimendit edhe për këtë sezon, pasi gjiganti anglez kishte bërë një ofertë ambicioze për ta transferuar atë në Ligën Premier gjatë muajit gusht.
Fillimisht pati raportime se Zubimendi ka konsideruar largimin nga baskët për herë të parë në karrierën e tij, për shkak të ofertës joshëse nga Liverpooli.
E tërë kjo ngjarje në fund përfundoi në favor të Sociedadit, përkundër vullnetit të Liverpoolit që të paguajnë klauzolën e tij të lirimit prej 60 milionë eurosh, pasi vet lojtari e deshi qëndrimin në ‘San Sebastian’.
Kjo prishi planet e transferimeve për Liverpoolin, pasi në fund klubi u tërhoq nga ideja e nënshkrimit me një mesfushor defanziv.
Sidoqoftë, sipas një përditësimi të fundit nga Football Insider, Liverpooli do të futet në treg në fillim të vitit 2025, ku pikërisht nënshkrimi me një mesfushor defanziv do të jetë prioritet.
Zubimendi pritet që të jetë pjesë e listës së tyre të ngushtë përkundër se paraprakisht kishte shprehur dëshirën që të qëndrojë në Spanjë./Telegrafi/