Telegrafi

Liverpooli pëson nga Interi në Anfield, por vazhdon në çerekfinale

(Foto: Twitter/LiverpoolFC)

Liverpooli ka pësuar humbje nga Interi (1-0) në ndeshjen kthyese të të tetës së finales në Ligën e Kampionëve që u zhvillua në Anfield.

Mirëpo, duke qenë se takimi i parë i 1/8 së finales që u zhvillua në Giuseppe Meazza përfundoi me fitoren e skuadrës angleze me rezultat 2-0, të zgjedhurit e Jurgen Klopp u kualifikuan në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm prej 2-1.

Nuk pati raste konkrete në minutat e para të ndeshjes, ndërsa pas gjysmë ore lojë rrezikuan Joel Matip dhe Virgil van Dijk.

(Foto: Twitter/Inter)

Një mundësi të mirë në anën tjetër e pati, Hakan Calhanoglu i cili u tregua i rrezikshëm nga gjuajtja e lirë, por Alisson bëri një pritje të mrekullueshme.

Në minutat shtesë të fraksionit të parë, nga gjuajtja e lirë i rrezikshëm u tregua edhe Trent Alexander-Arnold, por topi shkoi jashtë.

(Foto: Twitter/LiverpoolFC)

Porsa filloi gjysma e dytë, Interi ishte më serioz duke radhitur rastet para portës së Liverpoolit. Lautaro Martinez arriti të shënojë një super gol me një goditje nga distanca për epërsinë e zikaltërve (61’).

Me këtë gol u hap ndeshja, por menjëherë pas (63’), mysafirët mbetën me 10 lojtarë, pasi Alexis Sanchez përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.

(Foto: Twitter/Inter)

Nerazzurrët ishin të pafuqishëm për ta shënuar golin që do ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, ndërsa Redsat nuk ishin shumë të motivuar për të shënuar, edhe pse krijuan disa raste shënimi.

Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, Interi doli fitues nga kjo përballje, por ishte Liverpooli skuadra që u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/