Liverpooli po përgatit një ofertë ‘astronomike’ për një lojtar të cilin Arne Slot e sheh si blerjen perfekte për klubin e tij.
‘Të Kuqtë’ po shijojnë një sezon fantastik pasi ata po luftojnë në tri fronte, duke përfshirë Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve.
Arne Slot ka bërë mrekulli që prej se e zëvendësoi Jurgen Kloppin dhe këtë pa bërë blerje të mëdha.
Tani sipas mediumit spanjoll Fichajes, Liverpooli është i gatshëm që ta ‘shkund botën e futbollit me një marrëveshje historike’.
Sipas raportit, drejtuesit e klubit duan të çojnë një mesazh tek rivalët e tyre duke ofruar rreth 108 milionë euro për Alexander Isak.
Isak, i cili iu bashkua Newcastle United nga Real Sociedadi për 63 milionë euro, ka fituar reputacion të madh pas kalimit të tij në Ligën Premier.
Ai ka shënuar 21 gola në kampionat sezonin e kaluar teksa këtë edicion ka arritur të realizojë 17 sosh deri më tani.
Slot beson se 25-vjeçari do të ishte lojtari perfekt për të kompletuar sulmin e tij, pasi jo vetëm që do të shtonte thellësi, por do t’i dhuronte mundësinë të provonte variante të ndryshme në fazën e sulmit.
Për reprezentuesin suedez pati thashetheme të shumta që e lidhën me një largim të mundshëm nga Newcastle, pasi edhe Arsenali besohet se është i interesuar për shërbimet e tij gjithashtu./Telegrafi/