Telegrafi

Liverpooli mposhtë me lehtësi Cardiffin dhe kalon në rrethin tjetër të Kupës FA

Liverpooli ka mposhtur pa ndonjë problem të madh Cardiff Cityn në kuadër të 1/16 së finales në Kupën FA.

The Reds ishin nikoqir të skuadrës uellsiane në Anfield dhe triumfuan me rezultat 3-1.

Pjesa e parë nuk solli gola, përkundër që dy skuadrat kishin disa raste të mira shënimi.

Për ta parë golin e parë në ndeshje, tifozët e pranishëm në Anfield u desh të presin minutën e 53-të, kur Diogo Jota shënoi pas asistimit nga Trent Alexander-Arnold për 1-0.

15 minuta më vonë, The Reds dyfishuan epërsinë 2-0, kur transferimi i ri Luis Diaz asistoi për Minaminon që realizoi nga afërsia.

E në minutën e 76-të, talenti anglez Harvey Elliott realizoi me një gjuajtje të fortë për 3-0, duke siguruar fitoren e skuadrës së Jurgen Klopp.

Krejt çfarë bën mysafirët ishte goli i Rubin Colwill i shënuar 10 minuta para fundit të ndeshjes.

Deri në fund, dy skuadrat krijuan edhe disa raste shënimi, por që gola më nuk pati.

Kësisoj Liverpooli kalon në 1/8 e finales në Kupën FA ku më vonë do të hidhet shorti dhe do ta mësoj kundërshtarin. /Telegrafi/