Mëngjesin e së premtes, tifozët e Liverpoolit morën lajmin që e kishin frikën vitet e fundit, pikërisht largimin zyrtar të Jurgen Klopp nga posti i trajnerit, por ky nuk është i vetmi lajm i keq për klubin.
Klopp zyrtarizoi largimin nga Liverpool pas nëntë vitesh. Ai përmendi ngopjen si arsyen kryesore dhe deri në momentin që të largohet, ai do të bëjë pjesën tjetër të sezonit dhe do të përpiqet të fitojë të paktën një trofe, edhe pse Reds janë në konkurrencë për disa, përfshirë Ligën Premier.
Por, Klopp nuk është i vetmi që largohet nga klubi. Bashkë me të largohen edhe personat e rëndësishëm që i kthyen Liverpoolit titujt e Ligës Premier dhe Ligës së Kampionëve.
Goditja më e madhe duhet të jetë largimi i drejtorit sportiv Jorg Schmadtke. Schmadtke do të largohet edhe para Kloppit, sepse do të përfundojë kohën e tij në Anfield vetëm deri në fund të afatit kalimtar të janarit, pra vetëm pas disa ditësh.
Trajneri i zhvillimit të elitës, Vitor Matos po largohet gjithashtu nga Liverpooli. Me gjermanin largohet i gjithë ekipi stërvitor, mes të cilëve spikasin Peter Kraeietz dhe Pepijn Lijnders.
Megjithatë, ekziston mundësia që Lijnders ta marrë vetë stolin e Liverpoolit, pasi sipas basteve ai ka kuotën më të mirë dhe është favoriti më i madh.
Pas Lijnders, bastet u japin më shumë shanse ish-futbollistëve të Reds, Xabi Alonso dhe Steven Gerrard.
Alonso bën mrekulli në Gjermani me Leverkusenin, ndërsa trëndafilat e Gerrard nuk po lulëzojnë në Saudi Al-Ettifaq. /Telegrafi/