Site icon Telegrafi

Liverpooli konfirmon që do të realizohet një dokumentar për muajt e fundit të Kloppin në krye të ekipit

Liverpooli ka konfirmuar se xhirimet e një dokumentari për sezonin aktual të klubit janë duke u zhvilluar, ku Jurgen Klopp do të jetë objektivi kryesor.

Jurgen Klopp do të largohet nga Anfield në fund të sezonit dhe do të jetë një mënyrë për tifozët që të shohin se si funksionon klubi nën të.

“Kamera do të ndjekë Jurgen Klopp dhe ekipin e tij gjatë gjithë sezonit të tij të fundit në klub. Dokumentari do të fiksojë në mënyrë delikate skuadrën në zonat e dakorduara nga trajneri dhe lojtarët, pa cenuar hapësirat private”.

“E gjithë kjo do të jetë së bashku me një eksplorim të rrugëtimit të klubit deri në ditët e sotme dhe rrëfimin e historive njerëzore në sfondin epik të Klubit të Futbollit Liverpool”, thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të klubit.

Për këtë ka folur edhe vet trajneri gjerman.

“Me sezonin tim të fundit, mendova se duhet të ofrojmë një mundësi të rrallë për shikuesit që të kenë më shumë një vështrim nga brenda në atë që e bën këtë klub kaq të veçantë: njerëzit e tij, nga tifozët tanë te lojtarët tanë dhe ata që punojnë në prapaskenë, vazhdimisht në kërkim të suksesit për Liverpool Football Club”.

“Falë kësaj serie të re dokumentarësh, shikuesit do të jenë në gjendje të shohin atë që unë shoh çdo ditë në këtë klub të madh dhe të kuptojnë më shumë ata njerëz të mrekullueshëm”, ka thënë Klopp.

Dokumentari do të filmohet nga Lorton Entertainment, kompania e cila ka filmuar filmin e Diego Maradona, filmin e Steven Gerrard, Make Us Dream, në Amazon Prime dhe Coleen Rooney: The Real Wagatha Story në Disney+. /Telegrafi/

Exit mobile version