Telegrafi

Liverpooli konfirmon largimin e Alex Oxlade-Chamberlain

Mesfushori anglez, Alex Oxlade-Chamberlain është larguar zyrtarisht nga Liverpooli pas gjashtë viteve të kaluar me Reds.

Reds kanë vazhduar me ndryshime në skuadër pas përfundimit të sezonit 2022/23.

Pas largimit të Roberto Firminos, James Milnerit dhe Naby Keitas, Liverpooli ka konfirmuar edhe largimin e mesfushorit Oxlade-Chamberlain.

“Alex Oxlade-Chamberlain do të nisë një sfidë të re këtë verë pas një periudhe të paharrueshme gjashtëvjeçare në Anfield, në të cilën ai ndihmoi Liverpoolin të ngrinte një mori trofesh të mëdha”, thuhet në njoftimin e Reds.

29-vjeçari anglez gjatë gjashtë viteve të kaluara te Liverpooli ka zhvilluar gjithsej 146 ndeshje, duke shënuar 18 gola dhe 15 asistime.

Mesfushori i gjithanshëm me Reds ka fituar titullin e Ligës Premier, Ligën e Kampionëve, EFL Cup, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube. /Telegrafi/