Telegrafi

Liverpooli fillon bisedimet lër ta blinduar Firminon me kontratë të re

E ardhmja e sulmuesit brazilian Roberto Firmino vazhdon të jetë ende e paqartë.

Sulmuesi brazilian është futur në vitin e fundit të kontratës me Liverpoolin dhe këtë vit është duke treguar formë të lartë duke shënuar e asistuar rregullisht.

Firmino ishte pranë largimit nga Liverpooli në verë, ku skuadra si Juventus, Barcelona, Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund e donin atë, por në fund ishte Liverpool që refuzoi gjitha ofertat.

Interesimi nga klubet e mëdha për Firminon po vazhdon, por Liverpool dëshiron ta blindojë atë me kontratë të re.

The Athletic ka raportuar se drejtuesit e klubit anglez nuk duan ta lënë të lirë Firminon dhe kanë nisur bisedimet me agjentin e tij për një kontratë të re.

The Reds do t’i propozojnë sulmuesit brazilian kontratë të re tre vjeçare, pasi qëllimi është të mbahet Firmino në Anfield deri në verën e vitit 2026.

31-vjeçari është pjesë e klubit që nga vera e vitit 2015 dhe që nga ajo kohë ka qenë ndër futbollistët kryesorë në Anfield.

Firmino këtë sezon është në formë të lartë, teksa në 13 ndeshje zyrtare ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar në katër të tjerë. /Telegrafi/