Telegrafi

Liverpooli dhe Bayerni në bisedime të avancuara për Thiagon, 10 milionë e ndajnë spanjollin nga transferimi në Anfield

Thiago Alcantara po i kalon ditët e tij të fundit si futbollist i Bayern Munichut.

Pas shtatë viteve të kaluara në Allianz Arena, Thiago ka kërkuar largimin për një aventurë të re.

E ardhmja e spanjollit duket se do të jetë në Angli tek kampionët e ri të Liverpool.

29-vjeçari duket se është pajtuar me Liverpoolin, por tani i mbetet dy klubeve të gjejnë marrëveshje për çmimin e tij.

Liverpool është gati të ofrojë 30 milionë euro për lojtarin dhe tanimë kanë nisur bisedimet me drejtuesit e Bayernit.

Por në anën e kundërt kampionët e Gjermanisë duan që të fitojnë 40 milionë euro nga shitja e spanjollit.

Sport Bild ka raportuar se dy skuadrat duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët, pasi tanimë Thiago është i vendosur të bashkohet me ekipin e Jurgen Klopp.

Spanjolli ka refuzuar transferimin te PSG dhe Manchester City, dy skuadra të tjera që kërkuan shërbimet e tij.

Besohet se dy klubet do të gjejnë një gjuhë të përbashkët së shpejti dhe Thiago t’i bashkohet Liverpoolit pas ndeshjeve me Bayernin në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/