Telegrafi

Liverpool humbet një lojtar të rëndësishëm për shkak të lëndimit

Jurgen Klopp ka konfirmuar se Andy Robertson ka të ngjarë t’i nënshtrohet një operacioni pasi mbrojtësi i Liverpool-it lëndoi shpatullën në ndeshjen kundër Spanjës.

Mbrojtësi i krahut pësoi një lëndim të keq në shpatull gjatë ndeshjes kualifikuese të Skocisë për EURO 2024 ndaj Spanjës, pasi u përplas me portierin Unai Simon.

Pas skanimeve dhe analizave, ekipi mjekësor ka sugjeruar që lojtari duhet t’i nënshtrohet një operacioni që ka të ngjarë ta mbajë atë jashtë fushës së lojës për një periudhë të pacaktuar.

“Unë mendoj se vendimi do të merret që ai t’i nënshtrohet operacionit. Ekziston një shans i vogël që kjo të mos ndodh, por të gjithë ekspertët thonë se operacioni është opsioni më i mirë dhe kjo do të thotë se ai do të jetë jashtë për një kohë. Ne nuk e dimë saktësisht se sa kohë,” ka thënë  Klopp në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Evertonit.

Megjithatë, Liverpool tashmë ka marrë lajmin për rikthimin e Cody Gakpo, i cili humbi dy ndeshjet e fundit para pushimit me kombëtare, pasi pësoi një lëndim në gju kundër Tottenhamit, një ndeshje që ishte e mbushur me polemika për shkak se VAR-i u vërtetua se anuloi gabimisht golin e Luis Diaz.

“Gakpo u stërvit një herë me skuadrën, kështu që duhet të shohim se si do të shkojë nesër”, ka shtuar Klopp.

Liverpool rikthehet në aksion këtë vikend, ku do të përballet me Evertonin në derbin e qytetit në “Anfied”./Telegrafi/