Telegrafi

Liverpool fiton Carabao Cup, duke mposhtur Chelsean përmes penalltive

Liverpooli ia ka dalë të fitojë Carabao Cup, pasi në finale ia doli të mposhte Chelsea përmes penalltive, shkaku që koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa gola.

Ndeshja filloi më mirë për The Blues që kishin iniciativën, mirëpo The Reds u këndellen shpejtë, për ta mbyllur pjesën e parë me dominim në posedim të topit.

Ishte minuta e gjashtë e takimit, kur Christian Pulisic lëshoi një mundësi të artë, me portierin e Liverpoolit, Caoimhin Kelleher që bëri një pritje fantastike.

Në minutën e 31-të, Edouard Mnedy bëri një pritje sensacionale në gjuajtjen e bashkëkombësit të tij Sadio Mane.

Chelsea më pas kishte një tjetër rast ideal me Mason Mount (45’), por që anglezi dështoi në fazën finale të goditjes.

Në 45 minutat e dytë, Liverpooli ishte edhe më kërkues, me Mohamed Salah që në minutën e 49-të dështoi të mposhte mbrojtjen e Chelseat, gjersa Mount (49’), goditi shtyllën e Liverpoolit.

The Reds e tundi rrjetën e skuadrës londineze në minutën e 67-të me anë të Joel Matip, por VAR-i e anuloi atë për pozitë jashtë loje.

Lexo po ashtu Vështirë kuptohet se përse goli i Liverpoolit në finalen e Carabao Cup ndaj Chelseat u anulua prej VAR-it

Edhe Chelsea e tundi portën kundërshtare në minutën e 78-të me anë të Kai Havertz, mirëpo edhe atë VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje.

Ndeshja më pas shkoi në vazhdime, e që Blutë startuan më mirë, duke shënuar në portën e e Liverpoolit me anë të Romelu Lukakut në minutën e 107-të, por edhe aty VAR-i sinjalizoi për pozitë jashtë loje.

Lexo po ashtu Nuk qenka nata e VAR-it, video asistenti i gjyqtarit e penalizon edhe Chelsean në finalen ndaj Liverpoolit

Dy skuadrat më pas u përgatiten për gjuajtjen e penalltive, aty ku Liverpooli u tregua më i saktë, duke shënuar 11-të, për dallim nga Chelsea që realizoi një më pak, dhjetë. /Telegrafi/