Kuvendi i Kosovës sot mban seancë për të diskutuar pakon emergjente prej 320 milionë euro të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për t’u përballuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë pakon emergjente të propozuar nga PDK-ja në seancën e sotme, derisa dy partitë tjera opozitare, AAK dhe Nisma-AKR thanë se do të votojnë pro një pakoje të tillë.
Ndryshe, pakoja emergjente e Qeverisë në detyrë që tashmë është miratuar është paraparë të jetë 170.6 milionë euro, ndërsa ajo e propozuar nga partia opozitare PDK kap shifrën 320 milionë.
Më poshtë do të keni ecurinë e asaj që disktutohet brenda Kuvendit në kohë reale:
LIVE: Seanca të jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës
Posted by Telegrafi.com on Tuesday, 14 April 2020
Përfundon seanca e jashtëzakonshme, PDK tërhiqet nga Rezoluta
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës është tërhequr nga propozimi për rezolutë.
Osmani pohoi se pas tërheqjes së propozimit nga PDK, seanca mbyllet, transmeton Telegrafi.
“Meqenëse propozuesi e ka tërheq propozimin, mbyllet seanca pasi nuk ka se si të hapet debati më tej”, tha Osmani.
AAK kërkon që të përfshihet propozimi i saj: 100 euro për çdo qytetar të Kosovës
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi ka kërkuar që të futet në pakon emergjente edhe propozimi i partisë së tij për ndarjen e 100 eurove për secilin qytetar të Kosovës si dhe pakoja e stabilitetit që kap vlerën 210 milionë euro.
Ai tha se Kuvendi e ka legjitimitetin e plotë për votimin e këtyre projektligjeve.
“Grupi Parlamentar i Aleancës kërkon mocion për ndryshim të plotësimit të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, që përfshinë pakon emergjente gjithpërfshirëse, 100 euro për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe pakon e stabilitet me vlerë 210 milionë euro. Ky Kuvend e ka legjitimitetin e plotë për votimin e këtyre projektligjeve”, ka thënë ai.
Gashi: Problemi kryesor sot është Qeveria në detyrë e cila është shndërruar në Qeveri të uzurpimit
Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka komentuar kërkesën e PDK-së për mocion procedural për përfshirjen e dy projektligjeve në procedurë për shqyrtim në Kuvend.
Gashi ka thënë se nuk mund të bëjmë shkelje ligjore në këtë rast.
“Kemi një seancë të thirrur me një rend dite, dhe mbi bazën e diskutimeve japim mendimet tona. Kuvendi ka drejtë dy nisma ligjore, nismën për të hartuar një projektligj dhe për t’i kërkuar Qeverisë me hartu një projektligj… në këtë rast është se qeverisë ja kemi heq besimin, kemi marrëdhënie të ndërprerë me Qeverinë ”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se po hyjnë në një situatë ku nuk prodhojmë asgjë pozitive.
Hamza përsëri kërkon të vihet në votim mocioni procedural
Shefi i Grupit Parlamentar, Bedri Hamza ka kërkuar sërish që të vihet në votim kërkesa e PDK-së.
“Po ju lus që bazuar në dokumentet e procesverbalet nga e kaluara, t’i hidhni në votim kërkesat tona, të vihet në votim mocioni procedural”, është shprehur Hamza.
Ai tha se sot, situata në Kuvend nuk është shumë ma ndryshe se kur është miratuar buxheti i Kosovës.
Vazhdon seanca e Kuvendit
Pas pauzës disa minutëshe, ka rifilluar seanca e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet pakoja emergjente prej 320 milionë euro të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për t’u përballuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Kuvendi, 10 minuta në pauzë
Kuvendi i Kosovës ka shkuar në 10 minuta pauzë në mënyrë që grupet parlamentare të koordinohen rreth asaj se si do të procedojnë më tutje.
Kjo pasi shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka propozuar mocion procedural për përfshirjen e dy projektligjeve në procedurë të shqyrtimit në Kuvend.
Hamza ka thënë se këtë po e kërkon për shkak të gjendjes së krijuar nga coronavirusi.
Por Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se në seanca të jashtëzakonshme nuk mund të ketë mocion për përfshirjen e dy projektligjeve në procedurë të shqyrtimit në Kuvend.