Site icon Telegrafi

“Lista shqiptare” me disa kërkesa para se të mbështetin për kryeministër të Malit të Zi, Krivokapiqin

Përfaqësuesit e listës shqiptare, “Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj” do të takohen të mërkurën ose të enjten me të mandatuarin për kryeministër, Zdravko Krivokapiq, për të negociuar formimin e një qeverie të re të Malit të Zi.

Koalicioni shqiptar “Njëzëri”, ende nuk është ftuar të marrë pjesë në qeverinë e re, tha mbajtësi i kësaj liste elektorale për “Vijesti” dhe anëtari i Kuvendit, Fatmir Gjeka.

Genci Nimanbegu tha për “Vijesti” më herët se e sheh ftesën e Krivokapiqit si një mundësi për t’i paraqitur pikëpamjet e tij politike, mandatarit për formimin e qeverisë së re, “i cili ka mbështetjen e një grupi shumë heterogjen të koalicioneve”.

Lexo po ashtu Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së Malit të Zi: Këto janë resorët që i dëshiron Dritan Abazoviq

“Shqiptarët janë një pakicë autoktone në Malin e Zi, të cilët janë shumë të interesuar në përmirësimin e të drejtave të tyre për sa i përket çështjeve të identitetit, përmirësimit urgjent të statusit ekonomik të qytetarëve dhe zonave ku jetojnë shqiptarët. Sigurisht, ne nuk mbështesim ndonjë ndryshim në kursin e politikës së jashtme të Malit të Zi dhe duam të dëgjojmë se si Krivokapiq mendon të harmonizojë pozicionet e subjekteve ekstreme në koalicionin trepalësh – nga opsionet pro-serbe në ato pro-malazeze në koalicionin që e mbështet atë, i cili nuk ka ind lidhës dhe pa pika të qarta ideologjike, ku ata mund të bashkëpunojnë për një kohë të gjatë”, tha Nimanbegu.

Ndryshe, ekipi i Zdravko Krivokapiqit nuk iu përgjigj pyetjeve të “Vijesti” pse dhe nëse është e vërtetë që ata nuk e ftuan koalicionin “Njëzëri” në negociata. /Telegrafi/

Exit mobile version