Lista Serbe ka gjasë që edhe për një mandat të jenë pjesëmarrëse e taborit qeverisës. Kështu thonë njohës të çështjeve politike në vend.
Sipas tyre, Lista Serbe është mirë të mbetet jashtë Qeverisë. Ndërkaq, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Murati, vlerëson se nëse ky subjekt vjen në udhëheqje, duhet insistuar që ta ndërrojë qasjen e saj karshi Kosovës.
Analisti Imer Mushkolaj vlerëson se serbët do të vazhdojnë të jenë pjesë e qeverisjes dhe se pjesë e koalicionit mund të jetë Lista Serbe.
“Por, Lista Serbe më nuk e ka fuqinë që e ka pasur pas zgjedhjeve të kaluara”, ka shtuar ai. “Partnerët shqiptarë në koalicion duhet që t’ia ofrojnë mundësinë për bashkëqeverisje ndonjë subjekti politik serb që ka qasje tjetër prej Listës Serbe e cila gjatë gjithë kohës ka sabotuar shtetësinë e Kosovës”!
Njohësi i çështjeve politike, Dimal Basha, mendon se janë dy teori të mundshme për përfshirjen e Listës Serbe në qeverisje.
“E para, nëse hipotetikisht PDK-AAK-Nisma del si fituese, dhe partitë opozitare si LVV dhe koalicioni LDK-AKR nuk pranojnë të jenë pjesë e qeverisjes, sigurisht se Lista Serbe do te jete faktor kyç”, ka thënë ai. “Kurse, në rastin hipotetik tjetër, pra nëse fiton koalicioni LDK-AKR-Alternativa apo LVV, shoh hapësire që këto dyja të formojnë një qeveri ku nuk besoj se do të kishte nevojë për Listën Serbe”.
Edhe analisti Haki Abazi vlerëson se roli denigrues i Serbisë karshi Kosovës, do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës, pra edhe përmes Listës Serbe.
“Ky rol është shume fitimprurës dhe instrument diplomatik për të zvogëluar shanset që Kosova të njihet nga pesë vendet e BE-së”, shprehet ai. /Zëri.info/