Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar se procedimi në Kuvend i tri projektligjeve të miratuara në qeveri për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme.
Sipas Hoxhajt, përcjell Telegrafi, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë gjithmonë i qartë, dhe vazhdon të jetë i tillë: Kosova është vend sovran dhe do ta ketë ushtrinë e saj.
“Lista Serbe dhe Beogradi nuk mund ta bllokojnë këtë proces në pafundësi. Të gjitha partitë politike në Kosovë duhet ta mbështesin këtë ligj, i cili sjell një kapitull të ri që e bën Kosovën me Forca të Armatosura”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje urgjente, ku është propozuar edhe zyrtarisht transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, gjegjësisht është votuar Projektligji për transformimin e FSK-së në Ushtri. /Telegrafi/