Janë në koalicion qeverisës, por kjo nuk e ka penguar Listën Serbe që vendimet e LDK-së dhe PDK-së t’i kontestojë dhe dërgojë deri në Kushtetuese.
Pas shumë ankesave dhe përpjekjeve për të bërë ndryshime, partneri i koalicionit, me 10 nënshkrime të përfaqësuesve të saj, ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese udhëzimin administrativ për procedurat e aplikimit dhe animimit në skemat pensionale të financuara nga shteti, raporton KTV.
Lista Serbe po e konsideron si të kundërligjshëm futjen e njërit prej kritereve në këtë udhëzim, atë për dëshminë që ka të bëjë me vendbanimin për ata pensionistë që synojnë të marrin pension nga shteti i Kosovës.
Por, për zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka asgjë të kundërligjshme me këtë udhëzim administrativ.
Andaj kjo ministri do të vazhdojë të bëjë verifikimin e atyre që dyshohet se nuk kanë vendbanim në Kosovë dhe marrin pensionin.
Keqpërdorimet, sidomos me pensionet bazë dhe ato me aftësi të kufizuar, e kishin shtyrë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që, përmes këtij udhëzimi, të kërkojë dëshmi për vendbanimin e përhershëm.
DONIKA_SERBET_PENSIONET_22_06 from Koha.net on Vimeo.